A mund të fitosh online dhe si (për fillestarë)?
Si të fitosh online?
Shpesh herë më vijnë mesazhe me pyetje të tipit:
- Më pëlqen kjo puna e internetit, si mund të fitoj?
- Dua te fitoj online, nga tja nis?
- Çfarë jan kto punet online, se sja kam idenë fare…
Këto lloj pyetjesh janë pyetje fillestare dhe ky artikull është për çdo person që bën pjesë në këtë kategori.
Një nga qëllimet e mia është të ndërgjegjësoj sa më efektivisht tregun Shqiptar për mundësitë që i ofrohen duke aksesuar tregun global dhe interneti është pikërisht platforma që na e bën të mundur këtë gjë më së miri.
Së pari, për të kuptuar si mund të fitojmë online, duhet të kuptojmë që interneti nuk është një mënyrë për të punuar, interneti është thjesht një ambjent, një platformë dhe mënyrë komunikimi, ku njerëzit mund të futen dhe të bëjnë miliona gjëra të ndryshme.
Shpesh herë kur dikush më pyet se si mund të fitoj online, i përgjigjem duke i thënë, që kjo pyetje është si të pyesësh çfarë mund të bëj që të bëhëm arkitekt.
Përgjigjia është që duhet të shkosh dhe të bësh universitet.
Dhe kjo na sjell tek pika e dytë që duhet të kuptojmë më së miri.
Të fitosh online nuk është një proces i shpejtë dhe magjik.
Për një arsye apo një tjetër, shumica e personave qe dëgjojnë për fitime online, mendojnë që të fitosh online duhet të jetë e thjeshtë dhe një proces gati magjik i cili ndodh duke shtypur dy, tre butona.
Realiteti është plotësisht në të kundërtën.
Edhe pse për të punuar online nuk duhet një universitet, si në çdo gjë tjetër, na duhet vullnet, dedikim, punë dhe durim.
Pa këto përbërës, nuk mund të kemi sukses.
Mund të them sidoqoftë që nëse di çka bën, procesi për të patur sukses është shumë më i shpejtë dhe efikas se shumë fusha të tjera biznesi, sidomos ato në terren.
Pra, dimë që interneti nuk është një punë, por është një platformë dhe që na duhet punë dhe durim për të patur sukses.
Çfarë tjetër duhet të dimë?
Përgjgjia: Kategorinë.
Nëse doni të keni sukses online, duhet të kuptoni që të gjenerosh të ardhura nëpërmjet interneti është e mundur në një prej mijëra e mijëra mënyrave të ndryshme.
Ashtu si në tregun fizik, dikush është elektriçist, dikush ka një dyqan buke, dikush një kafene, dikush punon për dikë, etj.
Ashtu edhe në internet, ka me mijëra mënyra për të krijuar një karierë potenciale dhe këtu është pika ku shumica konfuzohen.
Ja disa lloj mënyrash për të fituar online:
- Duke pasur një kanal Youtube dhe duke fituar nga reklamat
- Duke shitur produkte ose shërbime online
- Duke pasur një faqe Facebook me shumë ndjekës dhe duke fituar po ashtu nga reklamat
- Duke pasur një blog me shumë lexues, ku dhe mund të shfaqni dhe të fitoni prej reklamave
- Të vini një talent tuajin në punë duke punuar në distancë
- Të menaxhoni rrjetet sociale për biznese në distancë
- Të shisni trajnime online
- Të luani lojra dhe të fitoni prej atyre që ju ndjekin
- Të ndërtoni një software për të zgjidhur x problem
- Të bëni një aplikacion për IoS/Android
- Duke shitur produktin tuaj në Amazon
- Etj etj…
Lista nuk ka fund dhe në të gjitha këto kategori njoh njerëz që bëjnë miliona.
Interneti është një platformë jashtëzakonisht gjigande dhe mundësitë janë të tilla po ashtu.
Prandaj dhe për të patur sukses, është po aq e rëndësisshme që të përcaktojmë një fokus.
Nëse personalisht do tundohesha (dhe jam tunduar në të kaluarën) për të ndjekur çdo mundësi që më del përpara, nuk do kisha mundësi të bëja asgjë, sepse nuk do bëja asgjë siç duhet.
Si shëmbull, fokusi im është marketingu online dhe shitja nëpërmjet internetit.
Përgjatë viteve të mia (mbi 17 vjet) në këtë fushë, kam akumuluar shumë aftësi të ndryshme të cilat mund të transferohen me thjeshtësi në qindra kariera potenciale online, por për mua personalisht, fokusi mbetet tek shitja dhe marketingu online.
Mënyrat se si gjeneroj të ardhura online janë:
- Duke krijuar dyqane online dhe duke shitur produkte ose shërbime të miat apo të të tjerëve
- Duke menaxhuar fushata marketingu online për biznese brënda dhe jashtë vendit dhe
- Në raste të rralla duke shitur trajnime për të edukuar të tjerë se si të bëjnë të njëjtën gjë që bëj dhe vetë
Ky eshtë rrethi im i ngushtë i fokusit dhe çdo ditë përpiqem të bëhem pak më i mirë se dita e djeshme për tu përmirësuar në këto pika.
Ndihem shumë me fat që kam ndjekur këtë fushë, pasi më jep lirinë që kam dashur gjithmonë të kem.
Lirinë për të punuar nga të dua dhe kur të dua, si dhe lirinë për të bërë një punë që e kam me pasion.
Por kjo liri nuk fitohet kollaj, çdo gjë do investim dhe kohë për të arritur rezultate.
Kështu ka qënë dhe rrugëtimi im.
Kam pasur suksese, kam pasur dështime, të vogla dhe të mëdha, por në fund kam arritur të gjej rrugën time dhe po ashtu mund të bëni dhe ju.
Nuk e di nëse ky artikull ju ka dhënë motivim apo ju ka bërë të tërhiqeni më shumë, por sido që të jetë, qëllimi im është për t’ju dhënë një pasqyrë realiste të mundësive që janë në dorën tuaj.
Në fund të ditës, realisht besoj që të punosh online është një privilegj i madh dhe nëse arrin të gjesh rrugën e duhur, mund të përjetosh një botë mundësish dhe një liri që rrallë e gjen në industri të tjera.
Nëse e gjeni me vlerë këtë shkrim, ju lutem ndajeni me 2, 3 vetë të cilët mund ta vlerësojnë gjithashtu.
Ju uroj shumë suksese.
Laidi
---
gledis
si mund te fitoj para
Haxhi
per te jetuar duhet te dish me shume hapesira, mundesi,