Rrjetet sociale! Si të përfitoni prej tyre?

Rrjetet sociale! Si të përfitoni prej tyre?

Rrjetet sociale janë kryefjala e faqeve të internetit sot. Ne postimin e kaluar shkruajta për mënyrat e mundshme për të nisur një biznes në internet, sot do zgjatem pak më shumë tek rrjetet sociale, për një arsye të vetme, sepse janë mënyra më e mirë për të nisur një biznes shpejt në internet dhe për ta promovuar atë dhe nëse nuk doni të krijoni një biznës, për të krijuar një rrogë part-time ose full-time për veten.

Në artikullin e kaluar, përmenda se si të krijoni një faqë shitjesh në cështje minutash edhe nëse nuk keni fare eksperiencë me internetin dhe gjithashtu përmënda se si të gjeni produkte për të shitur.

Së fundmi përmënda shumë pak për se si ta promovoni faqen që keni krijuar.

Rrjetet sociale si puna e Facebook, Twitter dhe Instagram kanë krijuar një revolucion në mënyrën se si komunikojmë me njëri-tjetrin dhe me njerëzit e tjerë.

Nëse dini si, mund ti shfrytëzoni këto rrjete sociale për të gjeneruar të ardhura ekstra për veten tuaj cdo muaj.

Në vijim, jap disa ide për mënyrën se si mund të përdoren këto rrjete sociale për të gjeneruar të ardhura, por në shumicën e rasteve me para-kushtin që keni një bazë ndjekësish ekzistente (nuk ka rëndësi sa e madhe apo e vogël)…

1. Promovoni një faqe shitjesh

Duke përdorur shopify.com (më shume informacion në artikullin e kaluar) ose një shërbim të ngjashëm, krijoni një faqe shitjesh online, gjeni artikuj për të shitur (këto mund të jenë artikujt tuaj ose artikujt e një dyqani që njihni personalisht) dhe së fundmi hapni një faqe në rrjetet sociale, Facebook, Twitter dhe Google+. Sigurisht ka dhe të tjera për këto janë më të suksesshmet.

Sugjerimi im për dyqanin tuaj të parë online është të përzgjidhni një fushë specifike si psh. parfume, cajra, shendet, farmaci online, dobesim etj etj…

Arsyeja pse ju sugjeroj që të zgjidhni një temë specifike për dyqanin tuaj online është sepse për një individ që do të ketë sukses online dhe të gjenerojë para shpejt është shumë e vështirë të konkurojë me kompani që shpenzojnë mijera euro ne muaj në reklamim dhe shpenzime të tjera operative për të krijuar dyqane multifunksionale si psh. Kaymu.al që është e mbështetur nga një kompani multi-miliarda $.

Duke zgjedhur një teme specifike, do keni pothuajse 0 kosto dhe do keni mundësinë të bëheni të njohur në atë fushë specifike.

2. Promovoni produktin ose shërbimin e dikujt tjetër

Duke supozuar që keni një bazë ndjekësish tek një prej rrjeteve që përmëndëm më sipër, një ide e mirë mund të jetë të promovoni produktin, shërbimin ose faqen e dikujt tjeter.

Mënyrat e kompensimit janë të ndryshme… Dikush mund t’ju paguajë për një postim në faqen tuaj, dikush mund t’ju paguaje për cdo referim qe dërgoni, dikush thjesht për klikime!

Kushdoqoftë mënyra, të promovosh produktin, shërbimin ose faqen e dikujt tjetër është shumë praktike sepse nuk ke nevojë të vrasësh mëndjen për gjë tjetër përvec se të rrisni aktivitetin në faqen tuaj të Facebook, Twitter, Instagram apo cfarëdo rrjeti tjeter social…

Një gjë që duhet të keni në mëndje, nëse ju intimidon ideja që të ndërtoni një faqe me shumë aktivtet, është që nuk ka fare rëndësi a ke 100,000 ndjekës apo 1000 ndjekës…

Ajo cfarë ka rëndësi është sa i lartë është ndërveprimi me këta ndjekës aktual.

Për t’ju dhënë një shëmbull konkret, kohët e fundit postimet që kam bërë tek faqja ime si Laidi Ferruni me 8000 ndjekës, kanë gjeneruar më shumë klikime se faqja e 123.al në facebook, e cila ka 170,000 ndjekës, për postimet që kanë të bëjnë me temat që lidhen me mua si Laidi.

3. Menaxhoni faqet e bizneseve të tjera dhe fitoni para cdo muaj

Për këtë flas edhe tek një nga artikujt e kaluar “Puna më e kërkuar në planet” dhe ka një arsye të fortë pse i kam dedikuar një artikull të tërë kësaj teme. Mendoj që cdo Shqiptar që ka nevojë të krijojë një rrogë të mirë për veten, mund ta bëjë këtë nëpërmjet menaxhimit të rrjeteve sociale.

Për tu bërë një menaxher rrjetesh sociale, nuk duhet te keni aftësi speciale. E vetmja gjë që ju duhet është të dini të punoni me Facebook dhe rrjetet që do përdorni.

Për t’ju dhënë një referencë të vogël. Ka 37,000 biznese të vogla që kanë faqe në Facebook vetëm në Shqipëri.

E dini se sa menaxher rrjetesh sociale ka? Filloni numëroni gishtat e dorës dhe do e keni përgjigjen për këtë pyetje.

I njejti nivel kërkese është dhe nëpër botë.

Menaxherët e rrjeteve sociale janë super të kërkuar aktualisht, prandaj dhe ky është shansi juaj për të krijuar një lloj të ardhure pasive pa pasur nevojë të punësoheni diku.

Facebook dhe rrjetet e tjera sociale janë mënyra më e mirë për bizneset për të gjeneruar klientë të rrinj në bizneset e tyre, mirëpo pronarët e bizneseve nuk kanë kohë ti menaxhojnë vetë këto rrjete sociale.

Këtu hyn në puna ndihma juaj. Filloni të krijoni eksperiencë në këtë sektor duke menaxhuar faqen e një mikut apo të afërmit tuaj falas dhe me pas kur të ndjeni që ja keni marë dorën, filloni të kërkoni për biznese që ju paguajnë cdo muaj.

4. Promovoni Veten

Ndoshta për disa prej jush, bota e sipërmarrjes individuale nuk është zgjedhja më komfort. Në këtë rast është gjithmonë ide e mirë për të promovuar veten dhe mënyra më e mirë për ta bërë këtë është nëpërmjet rrjeteve sociale.

Linkedin.com është mënyra më e mirë aktualisht për të promovuar veten tuaj në anën profesionale dhe Facebook është një ndër mënyrat më të mira për të ndarë mesazhet tuaja me të tjerët.

Nuk mund ti jap mjaftueshëm rëndësi promovimit të vetes. Edhe pse e di që për disa prej jush është kundër-intuitive për ta bërë këtë, promovimi i vetes është mjeti që ju duhet për të arritur objektivat tuaja në botën profesionale.

Për të dhënë një referencë më konkrete po përdor veten si shëmbull.

Aktualisht jam duke shkruar shumë artikuj me këshilla konkrete të bazuara nga eksperienca ime ndër vite në biznes dhe në internet, për arsye sepse objektivi im më i madh me Shqipërinë është që te jem nxitja që ky vënd ka nevojë për tu shndëruar në një epiqëndër ndërkombëtare për biznese të reja në fushën e internetit dhe teknologjisë.

Objektivi im është që mijëra Shqiptar të krijojnë biznese ndërkombëtare me famë në të gjithë botën dhe mundësisht Facebooku i rradhës të lind në Shqipëri në vënd të San Franciscos.

Mënyra e vetme si mund ta realizoj këtë është nëse promovoj veten si një autoritet në këtë fushë dhe si rrjedhojë të kem mundësine të ndikoj sa më shumë njerëz të mundem.

Për një person tjetër, promovimi i vetes mund të ketë thjesht qëllimin e punësimit në një kompani të mirë dhe ky është objektiv shumë i mirë sigurisht.

Kushdo që të jetë objektivi juaj, mos hezitoni ta promovoni veten, pasi autoriteti i krijuar do ju hap më shumë rrugë sec e mendoni.

Cdonjëri prej jush (sidomos ju), ka dicka për të ndarë me të tjerët dhe ka një eksperiencë jetësore që ja vlen të ndahet.

Mos e nënvleftësoni asnjëherë mencurinë e brëndshme që keni grumbulluar ndër vite dhe mos hezitoni ta ndani atë me të tjerët.

Nëse është dicka që kam kuptuar ndër vite, është që nëse ndan me të tjerët, gjithmonë do të kthehet mbrapsht eventualisht në forma nga më të ndryshmet.

Si shëmbull, një prej studenteve te mia, më erdhi një ditë me një ofertë nga një kompani ndërkombëtare që kishtë kontaktuar, vendosëm të bashkëpunojmë dhe personalisht fitova 10,000$ vetëm prej asaj fushate. Kujt ja priste mëndja që një kurs modest me 10 veta për Internet Marketing do kthehej ne një surprizë të tillë financiare. Tashmë jam unë shpesh herë që mesoj prej saj dhe eksperiencës që ka krijuar.

5. Promovoni një blog

A e dinit që ekzistojnë shërbime si Google Adsense (www.google.com/adsense) ose versione më lokale si Gjirafa.com Ad Network që ju japin mundësinë të vendosni reklama në faqen ose blogun tuaj me thjeshtësi të madhe ndërkohë që fitoni para për cdo herë që dikush klikon tek ato reklama.

Kjo është mënrya se si kam nisur të fitoj para kur isha 14 vjec dhe e mbaj mënd akoma si sot ditën kur mora një cek nga Google për rreth 300 $. Ishte koha kur të gjithëve i dukej fantazëm ideja e të gjeneruarit para nëprmjet internetit.

Të krijosh një blog është shumë e thjeshtë dhe falas, duke përdorur shërbime si tumblr, blogger.com, wordpress.com etj…

Nëse nuk keni cfarë të shkruani në blogje, mund të huazoni informacione nga lloj lloj burimesh të ndryshme nëpër botë.

Blogjet janë një mënyrë e mirë për të nisur kur je fillestar dhe mund ti shërbejnë shumë mundësive.

Njoh personalisht shumë njerëz që janë duke fituar mijëra $ në muaj vetëm nëpërmjet reklamave tek faqet e tyre.

Në momentin që keni një blog të hapur, mënyra më e mirë për të gjeneruar vizitorë tek ky blog është nëpërmjet rrjeteve sociale.

Krijoni një faqe në Facebook për blogun tuaj dhe nisni ta promovoni. Ftoni miqtë tuaj ta ndjekin faqen, kërkojini atyre që njihni ta promovojnë gjithashtu dhe filloni të bëni postime interesante, qofshin këto edhe foto të një vëndi të bukur ndërkohë që rrisni rrjetin tuaj gradualisht.

Sa më shumë ndjekës të keni në rrjetet sociale, aq më shumë sukses do keni.

Si me cdo gjë, i gjithë marifeti është të nisësh :) Të eksperimentosh, të provosh, të bësh dicka…

Si thua, do nisësh edhe ti?

Vepro sot, mos prit!

Deri në artikullin tjetër,

Ju uroj shume suksese,

Laidi


Shkruaj një koment