Çfarë është e nevojshme për të krijuar një dyqan online të suksesshëm.
Çfarë është e nevojshme për të krijuar një dyqan online të suksesshëm.
Përgjatë viteve kam pasur mundësinë, fatin por mbi të gjitha dëshirën, të merem me shumë dyqane online, shumë prej të cilave kanë pasur sukses të konsiderueshëm.
Mendoj që përgjatë këtyre viteve kam krijuar një ide të përgjithshme lidhur me çfarë e bën një dyqan online të suksesshëm dhe çfarë jo.
Ja disa pika:
1. Çdo gjë fillon nga produkti
Nëse produkti nuk është i duhuri, nëse nuk plotëson një nevojë dhe nuk ndërlidhet me audiencën e duhur, e cila ka nevojë për atë produkt specifik, edhe dyqani më i mirë në botë nuk mund të shes dot.
2. Produkti e nis lojën, besimi e vazhdon atë.
Shumica e dyqaneve online përpiqen të shesin dicka të momentit dhe të gjenerojnë sa më shumë të ardhura në një kohë sa më të shkurtër. Personalisht dyqanet më të mëdha që kam parë të kenë sukses, kanë qënë gjithmonë marka/brande, të cilat kanë punuar vazhdimisht për të fituar besimin e sa më shumë klientëve. Një teknikë e mirë marketingu, mund të tërheq vëmëndjen dhe mund të gjenerojë shitje momentale, por në afatgjatë, besimi dhe investimi i klientëve ndaj një brandi do bëjë diferencën dhe do sigurojë qëndrueshmërinë.
3. Pa investuar nuk mund të fitosh.
Kjo është e vërtetë, por jo domosdoshmërisht e lidhur vetëm me investimin në reklamim. Investimi duhet të jetë i gjithanshëm dhe duhet të fillojë nga koha juaj. Kur nuk kemi mundësi të investojmë para, duhet të investojmë sa më shumë kohë, duke ju përgjigjur të gjithë klientëve një nga një, duke krijuar mardhënie me sa më shumë njerëz etj. Interneti është një burim i jashtëzakonshëm komunikimi, le ta shfrytëzojmë si të tillë.
4. Një biznes i mirë online ka një model fitimi të qëndrueshëm.
Mendojeni pak, sa biznese dështojnë vetëm sepse konfigurimi i modelit të biznesit nuk është i qëndrueshëm. Kështu ndodh edhe online. Nëse një biznes e ka marxhin bruto të fitimit 40% dhe ndërkohë % e shpenzimit për të bërë një shitje është 50%, shanset janë që ky model biznesi nuk është i qëndrueshëm.
Një biznes që ka sukses në afat-gjatë duhet të ketë dhe një model fitimi të qëndrueshëm, përndryshe do dështojë para se të nis. Një nga bizneset më të suksesshme në xhiro që kam themeluar vetë ka qënë 123.al.
Kjo një kompani që jo pak vetë e njohin në Shqipëri edhe sot që është e mbyllur. 123.al gjeneronte mesatarisht 20-40,000 Euro në muaj xhiro vetëm online dhe vetëm në Shqipëri, por modeli i biznesit ishte i paqëndrueshëm, pikërisht për faktin se shpenzimet ishin më të larta se fitimet.
Me këtë dua të them që edhe kompania më e mirë, nëse në fund të ditës nuk bën diçka për të dalë me fitim, eventualisht do dështojë.
5. Një dyqan i mirë online, duhet konsideruar si një biznes i mirfilltë.
Shumë vetë bëjnë gabimin që nisin një dyqan online thjesht me idenë që të gjenerojnë disa shitje çdo muaj dhe me mendësinë që të shkojë si të shkojë. Në fakt e kundërta është realiteti. Një dyqan i mirë online duhet konsideruar si një biznes i mirfilltë, i cili paguan taksa, ka shërbim klienti, kujdeset për markën e vetë etj.
6. Fokusi është i rëndësisshëm
Është e vërtetë që ka dhe biznese online që arrijnë të jenë të suksesshme duke shitur thuajse çdo gjë, si puna e Aladini.al (në rastin e Shqipërisë), por këto kompani janë të ralla dhe kapitali i nevojshëm për ti bërë këto lloj kompanish të suksesshme është shumë i madh.
Dyqanet online më të suksesshme që unë njoh dhe kam menaxhuar, kanë qënë gjithmonë të fokusuara në disa produkte kyç, në një kategori shitje ose një markë. Mësoni nga kompania më e madhe në botë, APPLE.
Nëse futeni në websitin e tyre, do shihni vetëm një produkt në vëmendje dhe disa produkte në total. Gabimi që bëjnë shumica e njerëzve është që përpiqen të bëjnë çdo gjë dhe si rrjedhojë nuk bëjnë asgjë mirë.
Dyqanet më të suksesshme që kam menaxhuar kanë pasur fokus në një gjë dhe e bëjnë atë më mirë se shumica e tregut. Si rrjedhojë kanë sukses.
7. Po nuk njohe targetgrupin tënd, është e vështirë të shesësh.
Nëse përpiqesh ti shesësh mish një personi që është vegjetarian, shanset janë që do dështosh. Kështu funksionon edhe online. Dyqanet më të mira e njohin mirë targetgrupin e tyre dhe si rrjedhojë dijnë si të punojnë për tu shfaqur para syve të tyre.
Sa më specifik të jetë targetgrupi, aq më mirë.
Produktet dhe dyqanet më të mira dalin nga nevojat specifike të grupeve po ashtu specifike njerëzish. Duke njohur kush është blerësi ynë, do kuptojmë edhe çfarë produkti t'ju ofrojmë.
8. Mendësia për shërbim.
Dyqanet më të mira, kanë gjithmonë një mendësi shërbimi dhe mendojnë vazhdimisht se çfarë mund të bëjnë për ti dhënë sa më shumë vlerë dhe për ti shërbyer sa më mirë klientit të tyre. Dyqanet më të mira, kanë shërbimin e klientit më të mirë, vemendjen ndaj konsumatorit më të mirë dhe janë gjithmonë të vëmëndshëm për ti plotësuar nevojat klientit të vetë.
9. Nëse duam klientë dhe blerës, duhet ti tërheqim ato drejt dyqanit tonë.
Shumë vetë krijojnë një dyqan, gjejnë produktin, gjejnë dhe audiencën e duhur, por nuk dinë si të sjellin njerëz në dyqanet e tyre.
Për të patur sukses me një dyqan online, në fund të ditës duhet të mësojmë të reklamojmë dhe të tërheqim vemendjen e klientëve të duhur, ciladoqoftë mënyra që përdorim (me pagesë apo organike).
Këto janë vetëm disa pika të shpejta që doja të ndaja me ju, por sigurisht kjo fushë nuk ka fund dhe ka gjithmonë diçka për të mësuar.
Shpresoj të shoh sa më shumë prej jush të krijojnë dyqanet e tyre online.
Mundësitë janë, çështja është a ka dëshirë për të punuar
Viktori
Interesante shkrimi dhe pershkrimi i prezantimit te dyqanit online. Shume deshire kam per te pasue edhe une nje te tille pasi durimi dhe vullneti nuk me mungojne . Pse jo mos kem edhe une dyqanin tim online ? por idete i kam te shumta edhe pse ne aktivitetin tim kam agjensi imobiliare dhe turistike , kam zhvilluar kurse kompjuteri prej me shume se 20 vitesh ne pragramet baze dhe kam shume deshire ti realizoj keto nepermjet dyqanit online .
Te gjithe mund te kemi dyqanin tone online , ka shume produkte per prezantim dhe nje menaxhim i mire e sjell klientin ne dyqanin tone .
Shpresoj – Besoj tek ju – perkushtohem per realizim ideshe .
Faleminderit !