Pse e dua Shqipërinë dhe pse mendoj që ju duhet ta doni gjithashtu…

Pse e dua Shqipërinë dhe pse mendoj që ju duhet ta doni gjithashtu…

Nëse duam ta dashurojmë këtë vend, duhet ta shohim nga sytë e një të huaji…

E nisa ditën sot duke lexuar një artikull relativisht të saktë rreth industrisë së startupeve në Shqipëri (për ju qe nuk e dini, me “startup” i referohemi bizneseve të reja që sapo nisin, kryesisht në fushën e teknologjisë).

Shumë të vërteta rreth fushës dhe pse është akoma e re dhe e paformuar.

Në të njëjtën kohë, një nga artikujt e mi të kaluar flet pikërisht për këtë industri dhe se si optimizmi im është i lartë për mundësitë që ofron.

Në këtë moment më vjen një kuptim i dyanshëm në mëndje… Një lexues i ri, nëse i kalon të dy artikujt mund të jetë konfuz për kë të besojë, ose më saktë kë të dëgjojë, pasi njëri flet për problemet dhe tjetri flet për mundësitë.

Eshtë shumë e kuptueshme.

Nga njëra anë kemi politikën, mediat dhe lajmet që na shfaqin gjithë kohës dhunë, pesimizëm, protesta etj. (të gjitha me baza të kuptueshme) dhe nga ana tjetër, kemi dhe shohim se si biznese interesante celin gjatë gjithë kohës rreth e rrotull nesh, duke krijuar impakt të drejtpërdrejtë tek jetët tona.

Këto të fundit janë gjithmonë më pak te dukshme pasi nuk bëjnë aq shumë bujë sa lajmet dhe megjithatë, dalngadalë bëhen pjesë të jetëve tona të përditshme.

Për këtë arsye, shpesh herë i injorojmë dhe i marrim si të qëna, por nuk janë të tilla.

Vetëm në muajt e kaluar kam parë disa iniciativa fantastike të shfaqen në treg.

Kam pare mbi 2 aplikacione që të mundësojnë të porosisesh ushqimin tënd me një klikim, kam parë seminare fantastike me spikera shumë të arritur (totalisht falas), kam parë të rrinj (si puna ime) të kthejnë disa faqe interneti në kompani të vërteta, kam parë startupe që pranohen në akselerator të njohur ndërkombëtarisht (Dentem me ju e kam) dhe po bëjnë punë të mrekullueshme, kam parë dhjetra kompani që po krijojnë qindra vënde pune për Shqiptarët duke punuar me shtete të huaja, kam parë denoncime krimesh të bëhen nëpërmjet një aplikacioni në celular dhe të zgjidhen, kam parë skuadra që po punojnë me inteligjencë artificiale, kam pare 12 vjecarë që po gjenerojnë të ardhura nga Google, kam parë media që po krijon impakt të vërtetë duke edukuar njerëzit cdo dite falas (Business Mag me ju e kam), e shumë e shumë të tjera…

Shpesh herë mjafton vetëm të shohësh.

Të gjithë e dimë që Shqipëria është një vend jo perfekt, që ka ende korrupsion, që ka probleme pafund, që bizneset e vogla po vuajnë, që ligji nuk është i fortë etj etj…

Ajo që jo të gjithë e shohim dhe kuptojmë, është se midis gjithë këtyre problemeve dhe rrënojave, njerëz të vecante po bëjnë dicka cdo ditë për të përmirësuar realitetin e të gjithë neve.

Për ato që keqkuptojnë optimizmin tim për naivitet dhe injorancë, duhet të kuptojnë këtë gjë…

Problemet, janë bekimi më i madh që ne si shtet kemi, apo edhe si njerëz.

Nëse nuk do kishim probleme, do qëndronim gjithë kohës në vend, pa levizur, pa zhvilluar, pa ndërtuar…

Unë e dua Shqipërinë sepse është një nga vëndet më të thjeshta në botë për të ndërtuar dicka të re (një teknologji, një ide, një biznes).

Pikërisht sepse ka kaq shumë probleme…

Kjo do të thotë që ka shumë më shumë punë për mua për tu marrë.

Gjatë gjithë eksperiencës time, kam punuar aq me jashtë sa edhe më Shqipërinë. Ajo cfare shoh është se dicka duket sikur më tërheq cdo herë në këtë vend.

Dhe kjo “Dicka” janë mundësitë që ky vend ofron. Jo vetëm financiarisht, por nga mundësia që kemi për të krijuar impakt dhe ndryshim, pikërisht sepse kemi kaq shumë probleme.

E dua këtë vend, sepse shoh njerëz që përpiqen cdo ditë (duke filluar nga prindërit e mi)…

E dua këtë vend për atë kapucinon perfekte që më serviret gjithë profesionalizëm dhe dëshirë, shoqëruar me një buzëqeshje, një batutë dhe me një kosto qesharake (krahasuar me Europën), rrugës për në punë.

E dua këtë vend sepse është i mbushur me njerëz të zgjuar, ambicioz, sypatrembur dhe ndonjëherë pak të cmendur (për gustot e mia).

E dua këtë vend sepse ka kaq shumë probleme, dhe kaq shumë punë për të bërë dhe sepse progresi është gjëja që më shijon më shumë në punën time…

E dua këtë vend sepse kam kaq shumë miq të vërtetë dhe të pazëvëndësueshëm, sepse jam i rrethuar me familje që më duan dhe i dua (si ato të vegjlit që përshëndesin në televizion kur i pyesin).

E dua sepse më tregon gjithmonë fytyrën e vërtetë, ashtu sic është, plot shenja, të shëmtuar dhe të bukur njëkohësisht, të lodhur, të mërzitur dhe të gëzuar, të frikshme, të frikësuar, të zgjuar, aq sa të fjetur…

Për t’ju rikthyer fjalisë së parë fare…

Kam sjellë shumë miq të huaj në Shqipëri. Të gjithë kanë dicka të përbashkët.
Të gjithë kanë rënë në dashuri me këtë vend.

Rastësi, emocion i momentit, naivitet, apo dicka që ne Shqiptaret nuk e shohim?

Deri ne artikullin tjetër, ju uroj sa më shumë suksese.
Nëse ju pelqeu ky artikull dhe mendoni që është i vlefshëm, ndajeni me dikë të afërt.

Sinqerisht,
Laidi

Referenca:
Foto nga Karolina Baszak : https://www.youtube.com/watch?v=vO1isCPfhOE


Shkruaj një koment