Si të menaxhojmë emocionet?

Si të menaxhojmë emocionet?

Ndërkohë që po mendohesha për temën e artikullit të rradhës po rikujtoja disa ndjesi dhe kujtime nga Shqipëria. Në fakt është bërë vetëm 1 muaj që jam duke jetuar jashtë dhe duket si një kohë më e gjatë se aq.

Duke kujtuar fragmente të ndryshme nga Shqipëria fillova të mendohem, sic më ndodh shpesh, për funksionin e emocioneve në lidhje me vendimet që marim në jetën tonë.

Pyetja është, a kanë ndikim emocionet tek vendimarja jonë? Përgjigjia është po, në fakt janë gjithcka…

Gjatë rrugëtimit tim si në biznes ashtu dhe në anën personale, kam përjetuar një gamë shumë të gjërë emocionesh nga më të lehtat deri te ato më intenset.

Cdo emocion në vetvete ka qënë përgjegjës për veprime të ndryshme dhe ndryshime të shumta të rrugëtimit tim.

Në momentet që truri krijon impulsin e një emocioni, sistemi nervor përgjigjet duke krijuar ndjesitë përkatëse në trupin tonë. Ky mekanizëm në vetvete është i ndërtuar në mënyrë që të na jap një përmbledhje shumë të shkurtër të situatës që po përjetojme dhe të na ndihmojë të marim një vendim më shpejt.

Nëse si shëmbull jemi duke negociuar një kontratë dhe gjatë diskutimit ndihemi disi në ankth, atëher është pikërisht sistemi emocional që po të tregon që dicka nuk shkon dhe se ndoshta duhet ta ri-vlerësosh situatën në fjalë.

Mos ndoshta kjo situatë të kujton dikë që të ka bërë dëm në të kaluarën? Mos ndoshta kjo situatë të kujton një negociatë që ka dështuar totalisht?
Në pak fjalë, sistemi emocional është ndërtuar për të na dhënë një vlerësim të shpejtë të rrethanave qofshin ato personale apo profesionale.

Interpretimi i suksesshëm i këtyre emocioneve ama diferencon një lider apo një person shumë të suksesshëm (kur them sukses nënkuptoj jo vetëm anën financiare, por cdo nënkuptim të fjalës në vetvete), me një person që nuk është shumë i kënaqur me jetën e vetë.

Cfarë dua të them?

Të gjithë kemi dëgjuar përrallat apo tregimet e njerëzve shumë të suksesshëm në histori dhe ata që janë ende midis nesh.

Cfarë i diferencon këta persona nga pjesa tjetër e popullsisë?

Cfarë e diferenconte Thomas Edison nga të tjerët, kur shpiku llampën e parë të dritës, atë që ende sot e kësaj dite e përdorim në shtëpitë tona?

Sipas historisë, Thomas Edison ka pasur 1000 tentativa të pa suksesshme deri në momentin që arriti të krijojë llampën e dritës që njohim sot.

Plot 1000 dështime!

Mendoni sa herë ndeshemi me një situatë të caktuar dhe në dështimin e parë themi, a jo kjo nuk bën për mua, ose nuk është momenti i duhur, ose nuk është vendi i duhur… Ngjan e njohur si situatë?

Cfarë e bëntë Thomas Edison që të kishte një persistencë kaq të madhe gjatë rrugës drejt suksesit?

E gjitha kthehet tek interpretimi.

Mënyra se si interpretojmë një emocion dhe më pas kuptimi që i japim këtij emocioni bën gjithë diferencën.

Shpesh herë njerëzit ngatërojnë menaxhimin e emocioneve me bllokimin e tyre. Jo! Emocionet janë miku jonë më i madh, janë ndërtuar për të na ndihmuar, si ato pozitive ashtu dhe ato negative.

Një emocion negativ, në vetvete është një impuls i cili transmetohet në sistemin tonë nervor për të na treguar që duhet të ndryshojmë dicka dhe megjithatë në ditët e sotme industri të tëra janë krijuar, të cilat shfrytëzojnë këto impluse njerzore për komercializëm, duke filluar nga ato që njerëzit konsumojnë më shumë në ditët e sotme, Televizioni, Telenovelat etj…

Në kohët e lashta, emocionet zinin një vend shumë më të rëndësisshëm në jetët e njerëzve, pasi nuk kishte telenovela, televizione dhe mijëra reklama që janë ndërtuar enkas për të modifikuar mënyrën se si ndihemi.

Por cfarë interpretimi mund ti japim një emocioni të caktuar?

Marim një shëmbull që të gjithë e njohim shumë mirë… Ushqimi!

Sa herë ju ka ndodhur që keni parë dikë afër jush duke ngrënë dicka që ngjan shumë e shijshme dhe menjëherë ju ka ardhur impulsi për të porositur të njëjtën gjë edhe pse keni ngrënë 2 orë më parë?

Për arsye se emocionet janë shumë të forta, shpesh herë nuk arrijmë dot ta kontrollojmë veten dhe si rrjedhojë i dorëzohemi impulsit duke marë atë vendim që na vjen më natyral dhe më i shpejtë, i cili nuk është gjithmonë më i miri.

Pervec ushqimit, kemi dhe mijëra aplikime të tjera të emocioneve dhe se si na ndikojnë në jetën tonë të përditshme dhe në vendimet që marim.

Pra konkretisht, cfarë mund të bëjmë që ti përdorim emocionet në avantazhin tonë në vend që ato të na përdorin ne?

1. Duhet të kuptojmë burimin e vërtetë të emocionit

Nëse jemi në një takim pune dhe papritmas fillojmë të ndihemi disi të mërzitur, duhet të kuptojmë që ka shumë arsye të ndryshme pse mund të ndihemi në atë mënyrë dhe shumë mundësisht mundet që nuk kanë të bëjnë aspak me situatën në fjalë.

Emocioni mund të jetë shkaktuar nga qindra ose mijëra rrethana potenciale. Të tilla mund të jenë, një kombinim fjalësh specifike që dikush ka përdorur, një muzikë e caktuar në sfond, një shprehje fytyre e dikujt, apo qoft edhe dicka fizike si psh. një shije e caktuar e cajit që jeni duke pirë ndërkohë që po diskutoni!

Truri jonë ka një mekanizëm shumë të sofistikuar ankorimi i cili menjëherë idenfitikon modele të ngjashme rrethanash të cilat lidhen me ngjarje të kaluara në jetën tonë kur ka pasur një nivel shumë të lartë emocionesh.

Një shëmbull mund të jetë një situatë ku kemi përjetuar një emocion shumë të madh, qoftë pozitiv apo negativ.

Nëse na hoqën nga puna dhe ka qënë një punë ku ishim dedikuar për më shumë se 10 vjet, kush kanë qënë rrethanat? Kush ka qënë shprehja e fytyrës e personit që na dha njoftimin, cfarë ngjyre ka qënë muri, si ka qënë koha jasht, ka pasur zhurma në sfond, etj.

Cfarëdolloj elementesh unik të cilët kanë qënë prezent në ato momente, mund të jenë një arsye pse në një moment të caktuar papritmas filloni të ndiheni në një gjëndje të caktuar.

“Ankorimi është gjithashtu një nga avantazhet më të mëdha të trurit tonë dhe përdoret shumë si teknikë nga liderat më të mëdhenj për të ndryshuar sistemin e tyre emocional për t’ju përshtatur një situate të caktuar. Megjithatë kjo është temë tjetër për një herë tjetër…”

Identifikimi i burimit të vërtetë të emocionit është një art në vetvete dhe është dicka që duhet ta praktikoni gjatë gjithë jetës tuaj. Sa më të mirë dhe të sinqertë të bëheni në identifikimin e tyre, aq më të aftë do jeni për të ndryshuar jetën tuaj.

Të gënjesh veten në raste të tilla është shumë e thjeshtë, apo tja vesh fajin personit apo rrethanës së gabuar.

2. Të identifikojmë nëse emocioni është i dobishëm apo jo për rastin në fjalë

Pasi kemi identifikuar burimin e vërtetë të emocionit, duhet të përcaktojmë nëse është i dobishëm apo jo për rastin në fjalë.

Nëse jam në një takim pune dhe filloj të ndihem në ankth. A është ankthi një emocion që më shërben në këtë moment apo jo?

Në raste të caktuara ankthi mund të na tregojë që duhet të ndryshojmë dicka ose duhet të largohemi nga takimi në fjalë, por vetëm në raste kur emocioni është i lidhur në mënyrë gjenuine me rastin në fjalë.

Nëse emocioni është i shkaktuar nga një rrethanë e jashtme që nuk ka lidhje me takimin në fjalë, atëher duhet të bëjmë dicka me emocionin në fjalë.

3. Të krijojmë një kuptim të dobishëm

Kjo është një nga ato gjërat që është më e thjeshtë për tu thënë se sa për tu bërë por pikërisht për këtë arsye duhet të mësojmë ta praktikojmë gjatë gjithë kohës.

Cfarë ndodh nëse papritmas dikush ju mer në telefon dhe ju thotë që ju kanë vjedhur shtëpinë? Ju kanë vjedhur makinën, ju kanë vjedhur lekët?

Sigurisht reagimi i parë mund të jetë një emocion i tipit inat, urrejtje, mllef etj…
Dhe në këto momente është shumë e thjeshtë të kalojmë në një situatë ku nuk kemi më kontroll mbi veprimet tona.

Cfarë duhet të bëjmë?

Ushtrimi në këtë moment nuk është të bllokojmë emocionet që po ndjejmë por në të kundërt të kuptojmë se si mund ti shfrytëzojmë këto emocione për të mirë.

Nëse në këtë moment jam duke përjetuar inat, kam 2 opsione kryesore.

Opsioni i parë është të vazhdoj të përjetoj edhe më shumë inat, të vazhdoj të shaj veten, njerëzit, shtetin, rrethanat etj etj…

Pra kujdes, ky kuptim mund të na dëmtojë shumë pasi në shumicën e rasteve rrethana që e shkaktoi emocionin në vetvete mund të mos ketë të bëjë aspak me rrethanat të cilat po përfshini në imagjinatën tuaj.

Eshtë shumë e thejshtë në këto momente ti ngjisim fajin dikujt, apo dickaje që mund të mos ketë të bëjë fare me rastin në fjalë…

Opsioni i dytë është të marim frymë dhe të reflektojmë më thellë. Ti bëjmë vetes pyetje konstruktive, të tipit:

A është e mundur që ky lajm mund të jetë fallco?
Nëse jo, sa mund të jetë dëmi i bërë?
Nëse është bërë dëm, a ma mbulon siguracioni? Po, jo?
Nëse jo, cfarë kuptimi pozitiv mund ti jap kësaj situate?

Ok dhe kjo është pika ku shumica calojnë… Si mund ti japësh një kuptim pozitiv një situate të tipit më kanë vjedhur shtëpinë?

Për ta ilustruar sa më mirë përgjigjien po ju tregoj një rast personal.

Rrugës për në Kosovë dicka rreth 1 vit më parë, kisha marë me qera një makinë e cila nuk ishte e imja, mirpo nuk ishte as zyrtarisht e një kompanie që jep makina me qera.

Makina ishte e pa-siguruar, ishte me goma vere dhe për më tepër nuk kisha as autorizim të saktë për ta përdorur makinën personalisht.

Megjithatë, kjo nuk më ndaloi ti nisesha rrugës. Gjatë gjithë rrugës deri para tunelit Kukës-Morinë, koha ishte normale dhe shumë pak borë nëpër cepat e rrugëve. Në momentin që kaluam tunelin u gjendëm para një rruge plot e përplot të mbushur me borë. Ishte eventualitet shumë i cuditshëm por i vërtetë.

Kohë shumë e keqe dhe rrugë ekstremisht e papërshtatshme. Për të bërë një histori të gjatë të shkurtër, në një moment të caktuar makina humbi totalisht kontrollin dhe përfundoi duke u përplasur me një kamion shumë të madh.

Dëmet ishin mbi 4 milion lek të vjetra, të cilat duhet të paguheshin të gjitha me kesh pasi makina nuk kishte siguracion.

Fatmirësisht unë dhe pasagjerët shpëtuam pa dëme, por si rrjedhojë e natyrës së incidentit i cila ishte goxha i frikshëm, na u paraqitën 2 opsione. 1. Të krijonim panik dhe të shpenzonim gjithë ditët në vijim duke u mërzitur për dëmet e bëra dhe për gjithë problemet që vijonin pas kësaj, apo 2. Të gjenim një kuptim të dobishëm për situatën në fjalë.

Për mua ishte e 2-ta. Pas aksidentit kuptova dicka të rëndësisshme… Jeta është e shkurtër dhe është e cmuar dhe si rrjedhojë edhe në karierën time (pasi ishte rrugë pune), do doja të ndërtoja dicka e cila më ndihmonte të jetoja stilin e jetës që dua dhe krijon një kontribut shumë të madh në shoqëri gjithashtu.

Në vend që të fokusohesha tek dëmet e aksidentit, vendosa të fokushem tek pyetjet që më drejtonin tek dëshirat e mësipërme. E gjithë koha në Kosovë shkoi pozitivisht dhe 2 ditë më vonë, lindi një nga idetë më të rëndësisshme të karierës time, ajo ide e cila aktualisht është duke u konkretizuar në një kompani ndërkombëtare me bazë në Irlandë dhe gjithashtu e njëjta ide që do përdoret për versionin e dytë të 123.al (i cili nuk ka dalë akoma në treg).

Pra pyetjet e duhura gjatë aksidentit, rezultuan në gjenerimin e një ideje supër të rëndësisshme dhe me potencial botëror dhe që do krijojë një impakt shumë të madh në tregun Shqiptar dhe Kosovar po aq sa dhe në botë.

Shpesh herë në situata të vështira dhe shumë emotive, është po aq e vështirë të nxjerim kuptime të cilat janë të dobishme për ne, por sa më shumë t’ja marim dorën kësaj praktike, aq më të suksesshme do e kemi rrugëtimin tonë në vijim.

Duke shpresuar që ky artikull t’ju vlejë sa më shumë, mos hezitoni të më dërgoni email tek laidiferruni@gmail.com nëse keni cfarëdolloj pyetje apo cfarëdolloj komenti specifik.

Nëse ju pëlqen artikulli dhe doni të lexoni më shumë të tilla në të ardhmen mos hezitoni të më thoni. Komentet tuaja më japin dëshirën dhe motivimin për të kontribuar më tej.

Duke ju uruar një javë të suksesshme,
Laidi


Shkruaj një koment